Nxënësit e Talentuar
Nxënësit e talentuar të gjimnazit "Leonik Tomeo" për vitin shkollor 2023 – 2024 .
(Marrë nga faqja zyrtare e Ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu)
1. Ersilja Ballabani, nxënëse me rezultate të larta në mësime. Fituese e fazës së dytë në Olimpiadën Kombëtare të Letërsisë, Biologjisë dhe Fizikës. Fituese e çmimit të parë në konkursin e shkollës me esenë "Autizmi nuk zgjedh." Fituese në konkursin "Mendimi im, forca ime", ogranizuar nga MAS me esenë "Fund dhunës ndaj grave". Fituese në projektin "We are change markers".
2. Sara Turhani, nxënëse me rezultate të shkëlqyera. Talent në muzikë, fituese e çmimit të parë në këngë, në maratonën rinore. Fituese në fazën e dytë të Olimpiadës Kombëtare në lëndët Biologji, Letërsi dhe Fizikë. Fituese e çmimit të dytë në projektin "We are change makers".
3. Erbion Shatro, nxënës me rezultate të larta në mësime. President i senatit të shkollës dhe pjesë e Parlamentit Rinor. Fitues në fazën e dytë në Olimpiadën e Informatikës, me talent në teknologji-informacioni.
4. Blerta Miraka, nxënëse e pasionuar pas librave dhe historisë, fituese në Olimpiadën Kombëtare të Historisë.
5. Loena Balla, fituese në fazën e dytë të Olimpiadës së Fizikës dhe Biologjisë, spikat në eksperimentet praktike në lëndët shkencore.
6. Eden Belishova, fituese në fazën e dytë në Olimpiadën e Biologjisë. Aktiviste dhe vullnetare në shumë veprimtari me Kryqin e Kuq.
7. Kris Nako, nxënës i talentuar në teknologji dhe informacion, fitues në fazën e dytë të Olimpiadës së Informatikës.
8. Ergi Arifi, i talentuar në futboll. Lojtar me ekipin e parë të skuadrës Teuta të Durrësit.
9. Keidi Gjylo, e talentuar në krijimtari, fituese e fazës së dytë në Olimpiadën e Letërsisë.
10. Orin Agalliu, fitues i Olimpiadës Kombëtare në Histori, i talentuar në basketboll, pjesë e ekipit të shkollës.
11. Mendi Zotaj, nxënës i talentuar në teknologji- informacioni, nismëtar për ndërtimin e webit të shkollës "Leonik Tomeo" në Durrës. Fitues i fazës së dytë në Olimpiadën e Informatikës.
12. Katia Shyti, nxënëse me rezultate të larta në mësime. Fituese në fazën e dytë në Olimpiadën e Biologjisë.
ESEJA:AUTIZMI NUK ZGJEDH
Eseja fituese në konkursin e realizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, për Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, në kuadër të projektit “Mendimi im, forca ime”. “Autizmi nuk zgjedh” nga Ersilja Ballabani Fryn lehtë. Si një tekë e natyrës është krijuar kjo erë e magjishme, që duket se do të dhurojë një jetë të re. Të gjithë janë në pritje, kur papritur fillon të ndihet e qara e parë, e qara e një foshnjeje. Me erën e nënës dhe ngrohtësinë e njerëzve që nuk i sheh, nuk i njeh, nuk i di, vazhdon të qajë lehtë. Pak e nga pak i fillon buzëqeshja, shpirti i mirë dhe çdo gjë fëminore siç e kanë të gjithë nëbotë. Ditët kalojnë njëra pas tjetrës teksa rritet, por zhvillimi i tij mbetet çuditërisht i njëjtë. Filloj të kuptoj se ai është i ndryshëm në sjellje, aktivitete dhe veprime. Aty kuptoj se fëmija ështe me aftësi ndryshe. Ah, thua se ditët dhe netët do të jenë njësoj tani? Nuk i dihet. E gjithë ajo që i dallon është një diell apo një hënë që hedhin sharmin e tyre ndriçues ngado, por kjo dritë nganjëherë i përket më shumë botës vizuale sesa reale. Dhe është kaq e çuditshme se si gënjehen nganjëherë njerëzit, nga një iluzion shkatërrimtar, që u shkërrmoqet në duar për t’ju ndryshuar gjendjen shpirtërore. Asgjë nuk është më e lehtë. Shpresa për të ka hedhur rrënjë të forta në zemrat tona. E shoh shpesh tek përpiqet të marrë zemër e guxim e të forcohet e përtërihet në buzëqeshjen jetëdhënëse të atyre që e duan me gjithë shpirt dhe e bëjnë të ndihet i lumtur. Ah, sa do të doja sikur shpirti i tij, kaq pak i studiuar dhe kaq shumë i përfolur, të mos jetë i komplikuar, por diçka aq e thjeshtë sa mund të zbërthehet me një rreze dielli, me një ide apo me një pasion. Ajo çka duhet të bëjmë është të qeshim me sy, të presim forcën për të rikthyer ekuilibrin. Të kuptojmë se autizmi nuk është gjë tjetër, veçse një çrregullim në zhvillimin nervor që prek aftësinë e fëmijës për t’u socializuar normalisht, duke ndikuar në aftësinë e tij për të përdorur komunikimin verbal dhe joverbal. Nuk është e lehtë të kesh një fëmijë me probleme të sjelljes; kjo të kushtëzon jetën në çdo aspekt, megjithatë ata janë të veçantë. Slogani i autizmit thotë se ky çrregullim “nuk zgjedh” fëmijët, por jam e sigurt se një forcë e mbinatyrshme zgjedh prindërit që kujdesen për ta. Prindërit më të fortë në botë! Ndërveprimi me një fëmijë të tillë ka ndikuar në të gjitha dimensionet e mia, duke i dhënë një kuptim të ri jetës, duke më mësuar të luftoj ndryshe edhe kur e di që nuk do të fitoj, më mësoi ta shoh, ta dëgjoj, ta nuhas e ta prek botën, ta kuptoj, duke e filtruar edhe përmes ndërgjegjjes. Të besoj se mund të arrij gjithçka e t’ia dal për çdo gjë. Të ndihmoj e të dhuroj dashuri, të ëndërroj, të rrëzohem e të ringrihem sërish. Ah, sa shumë kam mësuar nga ty! Ti je një iluzion i ndritshëm dhe nuk do të të lë kurrë vetëm, por do të ndriçoj fort sa herë që e ëndërron jetën si në përralla. E di se fati ndonjëherë i hedh rrufetë në jetën tona me një butësi puplore, por unë do jem gjithmonë me ty duke mos e lënë frikën të fashitë arsyet që ke për të luftuar. Më beso, tashmë në pazëllin e jetës tënde nuk do të mungojë më asnjë pjesëz!


